Sahihu i Buhariut — Hadithi 4191
36. Nënkapitulli: Beteja e Hudejbijes
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Allahu është i kënaqur me ata besimtarë, kur t’u betuan për besnikëri nën hijen e pemës. Ai e dinte se ç’kishte në zemrat e tyre, prandaj u dha atyre qetësi dhe i shpërbleu me një fitore të afërt.” (Fet’h, 18)
4191. Nga: Kab ibn Uxhrai
Muhamed ibn Hisham Ebu Abdullahu më ka thënë: Na ka treguar Hushejmi, e ky nga Ebu Bishri, e ky nga Muxhahidi, e ky nga Abdurrahman ibn Ebu Lejla se Kab ibn Uxhrai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa ishim me të Dërguarin e Allahut ﷺ në Hudejbije dhe ishim në ihram, idhujtarët na penguan (nga Qabeja). Unë kisha flokë të gjatë, ndërsa morrat më binin në fytyrë. Pejgamberi ﷺ kaloi pranë meje dhe më tha:
- “Vallë, po të mundojnë morrat?”
- Po, - ia ktheva.
Atëherë, zbriti ky ajet: “... e kush prej jush është i sëmurë ose ka mundim koke (e rruhet), le ta kompensojë me agjërim, lëmoshë ose kurban...” (Bekare, 196)