Sahihu i Buhariut — Hadithi 4196

39. Nënkapitulli: Beteja e Hajberit

4196. Nga: Seleme ibn Ekvai

Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Hatim ibn Ismaili, e ky nga Jezid ibn Ebu Ubejdi se Seleme ibn Ekvai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur shkuam në Hajber me Pejgamberin ﷺ, ecëm gjatë natës. Dikush i tha Amirit: “O Amir, a po na reciton diçka nga poezitë e tua?” Amiri ishte poet, andaj filloi të recitojë poezi në prani të njerëzve, duke thënë:

"O Allah, pa Ty ne nuk do të udhëzoheshim,

S'do të jepnim lëmoshë, as do të faleshim.

Falna sa të jemi gjallë, për Ty u flijofshim,

Dhe na forco këmbët, në u ballafaqofshim!

Qetësinë zbrite të na mbulojë,

Nëse thirremi (për luftë) nxitojmë,

Edhe nëse me britma na ftojnë.”

Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Kush është ky ngasës?

- Amir ibn Ekvai, - i thanë.

- “Allahu e mëshiroftë!” - tha Pejgamberi ﷺ.

Një njeri tha: “O i Dërguari i Allahut, iu bë obligim Xheneti (me këto që the). Sikur të kënaqeshim edhe pak me të?”

Shkuam në Hajber dhe i rrethuam. Ashtu qëndruam derisa na goditi një uri e madhe, e në atë rast Allahu na e çliroi Hajberin. Me t'u ngrysur, në mbrëmjen e po së njëjtës ditë, njerëzit ndezën shumë zjarre. Atëherë Pejgamberi ﷺ pyeti:

- “Ç'janë këto zjarre? Përse i keni ndezur?”

- Po zjejmë mish, - i thanë.

- “Çfarë mishi?”

- Mish gomarësh.

- “Derdhini dhe thyejini enët!”

- O i Dërguari i Allahut, a mund t'i derdhim dhe t'i pastrojmë (në vend se t'i thyejmë)? - pyeti dikush.

- “Bën edhe ashtu!” - i tha Pejgamberi ﷺ.

Pastaj, njerëzit u rreshtuan (për luftë). Amiri kishte një shpatë të shkurtër, me të cilën ia mësyu një hebreu për ta goditur, e në atë rast iu kthye tehu i shpatës dhe e goditi Amirin në gju, plagë kjo prej së cilës Amiri vdiq. Seleme vazhdon: “Kur u nisëm për t'u kthyer, i Dërguari i Allahut ﷺ më pa, më mori për dore dhe më tha:

- “Çfarë ke?”

- Kurban t'u bëfsha me babë e nënë! Disa po pretendojnë se Amirit i janë shkatërruar veprat, - i thashë.

- “Ka gënjyer kush thotë ashtu! - dhe, duke i bashkuar dy gishtat, tha: - Në të vërtetë, ai i ka dy shpërblime: ka qenë i zellshëm dhe luftëtar. Të rrallë janë arabët që kanë ecur mbi tokë sikurse ai”, - tha Pejgamberi ﷺ.

Kutejbe na ka thënë: “Na ka treguar Hatimi se (Pejgamberi ﷺ) ka thënë: “... që kanë jetuar mbi tokë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 4196

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?