Sahihu i Buhariut — Hadithi 4204
39. Nënkapitulli: Beteja e Hajberit
4204. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Morëm pjesë në Betejën e Hajberit. I Dërguari i Allahut ﷺ, për një person që pretendonte se ishte musliman, tha: “Ai është banor i Zjarrit.”
Kur filloi lufta, personi në fjalë luftoi fuqishëm derisa u plagos shumë herë. Disa njerëz pothuajse dyshuan (në paralajmërimin e Pejgamberit ﷺ). Personi në fjalë kishte dhimbje të rënda nga plagët, andaj e zgjati dorën te trasta e vet, nxori disa shigjeta dhe e vrau veten me to.
Disa muslimanë shpejtuan (për te Pejgamberi ﷺ) dhe thanë: “O i Dërguari i Allahut! Allahu vërtetoi fjalën tënde: filani bëri vetëvrasje.” Pejgamberi ﷺ tha: “O ti filan, ngrihu dhe lajmëro (njerëzit): “Në Xhenet do të hyjë vetëm besimtari, ndërkaq Allahu e ndihmon fenë edhe me njeriun e prishur.”
Transmetimin e Shuajbit e fuqizon Mameri nga Zuhriu.