Sahihu i Buhariut — Hadithi 4313

54. Nënkapitull

4313. Nga: Abdullah ibn Abasi

Is'haku na ka thënë: Na ka treguar Ebu Asimi, e ky nga Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Hasen ibn Muslimi se Muxhahidi tregon se, ditën kur i Dërguari i Allahut ﷺ e çliroi Mekën, u ngrit dhe tha: “Allahu e ka bërë të shenjtë Mekën, ditën kur i ka krijuar qiejt dhe Tokën, e ajo, me shenjtërinë e Allahut, është e shenjtë deri në Ditën e Kiametit. Andaj, lufta në të nuk i është lejuar askujt, as para meje, as pas meje. Ndërkaq, mua më është lejuar vetëm në një pjesë të ditës. Në të nuk lejohet as trazimi i gjahut (gjuetia), as shkulja e pemëve, as priten barishtet e saj, as merret gjëja e gjetur, përveç nëse shpallet ndër njerëz.”

Abas ibn Abdulmutalibi tha:

- Përveç idhhirit (lloj barishte), o i Dërguari i Allahut, sepse ajo përdoret nga farkëtarët dhe për shtëpitë?

Pejgamberi ﷺ heshti pak, pastaj tha: “Përveç idhhirit, që lejohet.”

Ibn Xhurejxhi tregon: “Më ka rrëfyer Abdulkerimi nga Ikrime, e ky nga Ibn Abasi, sikurse ky hadith”, - ose ka thënë: “Ngjashëm me këtë hadith.” - Këtë e transmeton Ebu Hurejra nga Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 4313

Hadithe të ngjashme: Shiko (11)

Fjalë të panjohura?