Sahihu i Buhariut — Hadithi 4326
57. Nënkapitulli: Beteja e Taifit
Musa ibn Ukbe ka thënë: Ajo është zhvilluar në muajin sheval të vitit të tetë.
4326. Nga: Sad ibn Ebu Vekasi
4326, 4327 - Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Asimi se Ebu Othman Nehdiu ka thënë: E kam dëgjuar Sadin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), - njeriun e parë që ka gjuajtur me shigjetë në rrugën e Allahut, - dhe Ebu Bekreten, - njeriun që kishte kapërcyer kështjellën e Taifit me disa të tjerë për të shkuar te Pejgamberi ﷺ, - duke treguar: “E kemi dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Atij që pohon se ka baba dikë tjetër përveç babait të vet, duke e ditur se ai nuk është babai i tij, do t'i ndalohet Xheneti.”
Hishami ka thënë: “Na ka rrëfyer Mameri, e ky nga Asimi, e ky nga Ebu Alije, ose nga Ebu Othman Nehdiu, se ka thënë: “E kam dëgjuar Sadin dhe Ebu Bekreten nga Pejgamberi ﷺ.”
Asimi i ka thënë Ebu Othmanit:
- Ti i ke dëshmitarë dy burra që të mjaftojnë.
- Ashtu është, - tha Ebu Othmani dhe shtoi: - Njëri prej tyre është i pari që ka gjuajtur me shigjetë në rrugën e Allahut, kurse tjetri ka shkuar te Pejgamberi ﷺ nga Taifi, në mesin e njëzet e tre burrave të tjerë.