Sahihu i Buhariut — Hadithi 4328
57. Nënkapitulli: Beteja e Taifit
Musa ibn Ukbe ka thënë: Ajo është zhvilluar në muajin sheval të vitit të tetë.
4328. Nga: Ebu Musa Eshariu
Muhamed ibn Alai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Burejd ibn Abdullahu, e ky nga Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Teksa po rrija me Pejgamberin ﷺ dhe Bilalin në Xhiëranë, vend mes Mekës dhe Medinës, erdhi një beduin dhe iu drejtua Pejgamberit ﷺ: “A po ma përmbush atë që më pate premtuar?”
- “Të përgëzoj!” - i tha Pejgamberi ﷺ.
- Shumë shpesh po më thua: “Të përgëzoj”, - i tha.
Pejgamberi ﷺ u kthye nga unë dhe Bilali, disi ishte i hidhëruar, dhe tha: “Ai e refuzoi përgëzimin, andaj pranojeni ju.”
- E pranuam, - thamë ne.
Pastaj Pejgamberi ﷺ kërkoi një enë me ujë, me të cilin i lau duart dhe fytyrën, shpëlau gojën, pastaj na tha: “Pini prej kësaj ene, lani fytyrat dhe gushët tuaja me të dhe përgëzohuni.” Ne dy e morëm enën dhe vepruam siç na tha. Atëherë Umu Seleme, e cila ishte pas perdes, thirri: “Lëreni pak për nënën tuaj.” Kështu, ne i lamë edhe asaj një pjesë të ujit.”