Sahihu i Buhariut — Hadithi 4368
70. Nënkapitulli: Delegacioni i fisit abdulkajs
4368. Nga: Abdullah ibn Abasi
Is'haku më ka thënë: Na ka rrëfyer Ebu Amir Akadiu, e këtij i ka treguar Kurra se Ebu Xhemra tregon: “Ibn Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) i thashë: “Unë kam një qyp ku përgatis mushtin, të cilin e pi ashtu të ëmbël prej asaj ene. Nganjëherë pi shumë dhe, kur ulem e qëndroj gjatë me njerëz, kam frikë mos turpërohem.” Ibn Abasi i tha: “Kur delegacioni i fisit abdulkajs erdhën tek i Dërguari i Allahut ﷺ, ai u tha: “Mirë se erdhët, o njerëz! Nuk do të jeni as të poshtëruar, as pishmanë (që keni ardhur tek unë).”
Ata i thanë: “O i Dërguari i Allahut, mes nesh dhe jush gjenden jobesimtarët e mudarit, andaj nuk po mund të vijmë, përveçse në muajt e shenjtë. Na urdhëro diçka konkrete, që, nëse punojmë me të, hyjmë në Xhenet dhe në të t'i ftojmë ata që i kemi lënë mbrapa.” Pejgamberi ﷺ u tha: “Jua urdhëroj katër gjëra dhe jua ndaloj katër të tjera:
1. Besimin në Allahun. A e dini ç'është besimi në Allahun? Dëshmia se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut,
2. Falja e namazit,
3. Dhënia e zekatit,
4. Agjërimi i Ramazanit dhe
5. Dhënia e një të pestës nga plaçka e luftës.
Jua ndaloj katër gjëra: atë që përgatitet në enë prej kungulli, varelë, shtambë dhe vorbë të katranosur.”