Sahihu i Buhariut — Hadithi 4369
70. Nënkapitulli: Delegacioni i fisit abdulkajs
4369. Nga: Abdullah ibn Abasi
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Ebu Xhemra se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Delegacioni i fisit abdulkajs erdhën te Pejgamberi ﷺ dhe i thanë: “O i Dërguari i Allahut, ne jemi pjesëtarë të fisit rebia, por mes nesh dhe jush gjenden jobesimtarët e mudarit, andaj nuk po mund të vijmë te ti, përveçse në muajt e shenjtë. Na urdhëro diçka konkrete, që të punojmë me të dhe t'i ftojmë të tjerët në të.” Pejgamberi ﷺ u tha: “Jua urdhëroj katër gjëra dhe jua ndaloj katër të tjera:
1. Besimin në Allahun (që është): të deklaruarit se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut, - numëroi me gishta, duke mbledhur njërin gisht, -
2. Faljen e namazit,
3. Dhënien e zekatit dhe
4. Ta jepni për Allahun një të pestën e presë së luftës.
Jua ndaloj përdorimin e enës nga kungulli, shtambës, varelës dhe vorbës së katranosur (për fermentimin e mushtit).”