Sahihu i Buhariut — Hadithi 4402
78. Nënkapitulli: Haxhi lamtumirës
4402. Nga: Abdullah ibn Omeri
Jahja ibn Sulejmani na ka thënë: Na ka rrëfyer Ibn Vehbiu, e këtij i ka treguar Omer ibn Muhamedi, e këtij i ka treguar babai i tij se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ ishte në mesin tonë, (haxhin e fundit) ne e quanim Haxhi i Lamtumirës, edhe pse ende nuk e dinim se çfarë ishte për qëllim me Haxhin e Lamtumirës. Pejgamberi ﷺ e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun, pastaj një kohë të gjatë e përmendi Dexhallin dhe tha: “Çdo pejgamber, që Allahu ka dërguar, ia ka tërhequr vërejtjen popullit të vet prej tij. Kështu, Nuhu ua ka tërhequr vërejtjen, e edhe pejgamberët pas tij. Ai do të paraqitet mes jush. Nëse keni paqartësi për Dexhallin, ju e dini se për Zotin tuaj nuk keni paqartësi, - e përsëriti tri herë. - Zoti juaj nuk është i verbër, kurse Dexhalli është i verbër në syrin e djathtë, që i duket si kokërr e dalë rrushi.”