Sahihu i Buhariut — Hadithi 4406
78. Nënkapitulli: Haxhi lamtumirës
4406. Nga: Ebu Bekrete
Muhamed ibn Muthena më ka thënë: Na ka treguar Abdulvehabi, e këtij i ka treguar Ejubi, e ky nga Muhamedi, e ky nga Ibn Ebu Bekrete se Ebu Bekrete (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Koha është rikthyer siç ka qenë atëherë kur Allahu i ka krijuar qiejt dhe Tokën. Viti është dymbëdhjetë muaj, katër prej të cilëve janë të shenjtë: tre radhazi: dhul kade, dhul hixhe dhe muharrem, si dhe muaji rexheb i fisit mudar1, që gjendet mes muajve xhumada dhe shaban. Po tani, cili muaj është?”
- Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri, - i thamë.
Pastaj heshti, saqë menduam se do ta emërtojë me ndonjë emër tjetër, por tha:
- “A nuk është muaji dhul hixhe?”
- Po, ashtu është.
- “Cili qytet është ky?”
- Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri. Pastaj heshti, saqë menduam se do ta emërtojë me ndonjë emër tjetër, por tha:
- “A nuk është qyteti i shenjtë?”
- Po, ashtu është.
- “Çfarë dite është sot?”
- Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.
Pastaj heshti, saqë menduam se do ta emërtojë me ndonjë emër tjetër, por tha:
- “A nuk është dita e Bajramit të Kurbanit?”
- Po, ashtu është.
- “Dijeni mirë se: gjaqet, pasuria - Muhamed ibn Sirini thotë: “Kujtoj se ka thënë edhe: dhe nderi juaj, - janë të shenjta sikurse shenjtëria e kësaj dite, në këtë vend, në këtë muaj. Ju do ta takoni Zotin tuaj, i Cili do t'ju pyesë për veprat tuaja. Mos u ktheni në humbje pas meje (pas vdekjes sime) e të vrisni njëri-tjetrin. Të pranishmit le t'ua përcjellin atyre që mungojnë, sepse atij që do t'i kumtohet, ndoshta e kupton më mirë se këta që po e dëgjojnë.”
Pastaj tha dy herë: “A e kumtova, vallë?”
Muhamed ibn Sirini, sa herë e kujtonte këtë hadith, thoshte: “Muhamedi ﷺ e ka thënë të vërtetën.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 4406
Fjalë të panjohura?