Sahihu i Buhariut — Hadithi 4409
78. Nënkapitulli: Haxhi lamtumirës
4409. Nga: Sad ibn Ebu Vekasi
Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e këtij i ka treguar Ibn Shihabi, e ky nga Amir ibn Sadi se babai i tij Sad ibn Ebu Vekasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ më vizitoi në vitin e Haxhit të Lamtumirës për shkak të një sëmundjeje të rëndë që më solli në prag të vdekjes, e në atë rast i thashë:
- O i Dërguari i Allahut, më ka goditur një sëmundje e rëndë (prej së cilës ndoshta edhe do të vdes), siç po e sheh. Unë kam shumë pasuri, ndërkohë trashëgimtare kam vetëm një vajzë. A të jap lëmoshë dy të tretat e pasurisë sime?
- “Jo”, - tha ai.
- A të jap lëmoshë gjysmën? - e pyeta.
- “Jo.”
- Atëhere një të tretën?
- “Një të tretën, madje edhe një e treta është shumë. T'i lësh pasardhësit e tu të pasur është më mirë sesa t'i lësh nevojtarë e t'u lypin njerëzve. Për çdo lëmoshë që jep, duke kërkuar shpërblimin e Allahut, do të shpërblehesh, madje edhe për kafshatën që e vendos në gojën e bashkëshortes sate”, - tha Pejgamberi ﷺ.
- O i Dërguari i Allahut, a do të mbetem (në Mekë) pas shokëve të mi (të cilët do të kthehen në Medinë)? - i thashë.
- “Nuk ndodh të jetosh më gjatë, të punosh vepër të mirë duke kërkuar shpërblimin e Allahut, e të të mos shtohet (për të) një gradë dhe lartësim. Mbase do të jetosh, aq sa dikush (nga miqtë) do të përfitojë nga ti, e dikush (nga armiqtë) do të dëmtohet prej teje. O Allah! Plotësoje hixhretin e shokëve të mi, e mos i kthe mbrapa (nga ku kanë bërë hixhret)! Sa i pafat që është Sad ibn Haule!” - tha Pejgamberi ﷺ.
I Dërguari i Allahut ﷺ e qante Sad ibn Haulen, ngaqë pati vdekur në Mekë (atyre nuk u pëlqente të vdisnin aty pasi kishin bërë hixhret).”