Sahihu i Buhariut — Hadithi 4424
83. Nënkapitulli: Shkresa e Pejgamberit ﷺ dërguar mbretërve Kisra dhe Cezari
4424. Nga: Abdullah ibn Abasi
Is'haku na ka thënë: Na ka treguar Jakub ibn Ibrahimi, e këtij i ka treguar babai i tij, e ky nga Salihu, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullah ibn Abdullahu se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ i dërgoi Kisrait një shkresë nëpërmjet Abdullah ibn Hudhafe Sehmiut, por e urdhëroi që letrën t'ia dorëzojë prijësit të Bahrejnit. Prijësi i Bahrejnit ia përcolli Kisrait (perandorit të persëve), i cili, posa e lexoi, e grisi copë-copë.”
Transmetuesi thotë: “Kujtoj që Ibn Musejebi ka thënë se i Dërguari i Allahut ﷺ në atë rast u lut kundër tyre, që edhe mbretëria e tyre të bëhej copë e grimë.”