Sahihu i Buhariut — Hadithi 4437
84. Nënkapitulli: Sëmurja dhe vdekja e Pejgamberit ﷺ
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Sigurisht që ti (o Muhamed) do të vdesësh një ditë e, sigurisht që edhe ata do të vdesin. Pastaj, në Ditën e Gjykimit, ju do të ziheni me njëri-tjetrin para Zotit tuaj!” (Zumer, 30-31)
4437. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ ishte shëndoshë, thoshte: “Asnjë pejgamber nuk vdes pa e parë vendin e vet në Xhenet, e në atë rast i jepet mundësia të zgjedhë mes jetës dhe vdekjes.”
Kur u sëmur e iu afrua vdekja, kokën e kishte në prehrin tim. Për një moment u alivanos. Pasi u kthjell, nguliti shikimin drejt tavanit të shtëpisë dhe tha: “O Allah! Në shoqërinë e lartë!”
Atëherë thashë: “Nuk do të na shoqërojë më dhe kuptova se ky paska qenë rrëfimi që na e pati rrëfyer sa ishte shëndoshë.”