Sahihu i Buhariut — Hadithi 4448
84. Nënkapitulli: Sëmurja dhe vdekja e Pejgamberit ﷺ
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Sigurisht që ti (o Muhamed) do të vdesësh një ditë e, sigurisht që edhe ata do të vdesin. Pastaj, në Ditën e Gjykimit, ju do të ziheni me njëri-tjetrin para Zotit tuaj!” (Zumer, 30-31)
4448. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Seid ibn Ufejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Të hënën, teksa muslimanët po e falnin namazin e sabahut mbrapa Ebu Bekrit, i Dërguari i Allahut ﷺ i befasoi duke zbuluar perden e dhomës së Aishes. I shikoi ata, duke qenë të rreshtuar nëpër safa, dhe buzëqeshi. Ebu Bekri u tërhoq prapa, që të hyjë në saf, duke menduar se i Dërguari i Allahut ﷺ dëshironte të dilte për namaz. Muslimanët gati sa nuk e ndërprenë namazin, nga gëzimi që ndien kur panë të Dërguarin e Allahut ﷺ. Por, ai ua bëri me dorë, që ta vazhdojnë namazin, pastaj hyri në shtëpi dhe e lëshoi perden.”