Sahihu i Buhariut — Hadithi 4452
84. Nënkapitulli: Sëmurja dhe vdekja e Pejgamberit ﷺ
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Sigurisht që ti (o Muhamed) do të vdesësh një ditë e, sigurisht që edhe ata do të vdesin. Pastaj, në Ditën e Gjykimit, ju do të ziheni me njëri-tjetrin para Zotit tuaj!” (Zumer, 30-31)
4452. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
4452, 4453 - Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Ebu Seleme se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Ebu Bekri erdhi me kalë prej Sunhit, vendbanimit të tij, e në atë rast zbriti nga kali dhe u fut në xhami, pa i folur askujt. Hyri në dhomën time dhe u drejtua nga i Dërguari i Allahut ﷺ, i cili ishte i mbuluar me gunë të hollë me ngjyra. Kështu, ia zbuloi fytyrën dhe e puthi. Pastaj, qau e tha: “Kurban t'u bëfsha me babë e nënë! Allahu nuk do të t'i bashkojë dy vdekje, porse vdekjen, që të ishte caktuar, tashmë e shijove.”