Sahihu i Buhariut — Hadithi 4454
84. Nënkapitulli: Sëmurja dhe vdekja e Pejgamberit ﷺ
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Sigurisht që ti (o Muhamed) do të vdesësh një ditë e, sigurisht që edhe ata do të vdesin. Pastaj, në Ditën e Gjykimit, ju do të ziheni me njëri-tjetrin para Zotit tuaj!” (Zumer, 30-31)
4454. Nga: Abdullah ibn Abasi
Zuhriu ka thënë: Më ka treguar Ebu Seleme se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Teksa Omeri u fliste njerëzve, doli Ebu Bekri dhe i tha: “Ulu, o Omer!” Ai refuzoi të ulet. Njerëzit u kthyen nga ai (Ebu Bekri) dhe e lanë Omerin. Ebu Bekri tha: “E, më pas; Ai që e ka adhuruar Muhamedin ﷺ, Muhamedi ﷺ tanimë ka vdekur, ndërsa ai që e adhuron Allahun, Allahu është i Gjallë e nuk vdes. Allahu i Madhëruar thotë: “Muhamedi nuk është tjetër vetëm se i dërguar. Edhe përpara tij pati të dërguar (që vdiqën ose u vranë). E nëse ai vdes ose mbytet, a do të ktheheshit ju prapa (nga feja ose lufta)? E kushdo që kthehet prapa, ai nuk i bën dëm Allahut aspak, kurse Allahu do t'i shpërblejë mirënjohësit.” (Ali Imran, 144)
Ibn Abasi shtoi: “Betohem në Allahun se, njerëzit (nga mërzia) sikur nuk e dinin se Allahu e kishte zbritur më parë këtë ajet, derisa e lexoi Ebu Bekri. Atëherë njerëzit e pranuan prej tij dhe çdo njeri dëgjohej duke e lexuar atë.”
Seid ibn Musejebi më ka treguar se Omeri ka thënë: “Betohem në Allahun se, me të dëgjuar Ebu Bekrin duke e lexuar, u ligështova, saqë këmbët nuk më mbanin dhe, posa e lexoi këtë ajet, unë rashë përtokë. Vetëm atëherë kuptova se Pejgamberi ﷺ paskësh vdekur.”