Sahihu i Buhariut — Hadithi 4493
21. Nënkapitulli: Ajeti: “Nga cilido vend që të dalësh, ktheje fytyrën nga Xhamia e Shenjtë. Kjo është e vërteta që vjen nga Zoti yt. Allahu nuk është i pakujdesshëm ndaj veprave që ju bëni.”
﴾شَطْرَهُ﴿ (Shatra hu): në drejtim të saj (150).
4493. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Muslimi, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Dinari se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Një ditë, teksa njerëzit ishin duke e falur namazin e sabahut në Xhaminë e Kubasë, u vajti një burrë dhe u tha: “Sonte Pejgamberit ﷺ i ka zbritur një pjesë e Kuranit dhe është urdhëruar të drejtohet nga Qabeja, andaj drejtohuni nga ajo.” Kështu, ata, siç ishin, u kthyen në drejtim të Qabesë, ndërkohë ishin të kthyer në drejtim të Shamit.”