Sahihu i Buhariut — Hadithi 4496
23. Nënkapitulli: Ajeti: “Kodrinat Safa dhe Merva (në Mekë) janë pjesë e Simboleve të Allahut, prandaj ai që viziton Qaben për haxh ose për umre, s’ka kurrfarë gjynahu nëse sillet mes tyre. Kush bën vepra të mira vullnetare, ta dijë se Allahu është njëmend Falënderues dhe i Gjithëdijshëm.”
﴾شَعَائِرِ ﴿ (Sheair): shenja. Ibn Abasi ka thënë: "Safvan është lloj guri. Thuhet se është fjala për gurët e lëmuar, sipër të cilëve nuk mbin asgjë. Në njëjës i referohet si Safvaneh në kuptimin e Safasë, kurse Safa si emër përmbledhës (kodra Safa)."
4496. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani se Asim ibn Sulejmani tregon: “E pyeta Enes ibn Malikun për kodrat Safa dhe Merva, e në atë rast ai më tha: “(Ecjen mes tyre) e llogaritnim si vepër të injorancës dhe, kur erdhi Islami, ne nuk ecnim mes tyre, prandaj Allahu e zbriti ajetin: “Kodrinat Safa dhe Merva (në Mekë) janë pjesë e Simboleve të Allahut, prandaj ai që viziton Qabenë për haxh ose për umre, s'ka kurrfarë gjynahu nëse sillet mes tyre...” (Bekare, 158)