Sahihu i Buhariut — Hadithi 4505

27. Nënkapitulli: Ajeti: “(Agjërimi është) Ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë. Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi. E, nëse ndonjëri jep më shumë se kaq, kjo është edhe më mirë për të. Por, agjërimi juaj është më i dobishëm, në qoftë se e dini."

Atai ka thënë: "Njeriu e lë agjërimin për çfarëdo sëmundjeje, ashtu siç ka thënë Allahu. Haseni dhe Ibrahimi, në lidhje me gjidhënësen dhe shtatzënën, kanë thënë: Nëse frikësohen për veten e vet a fëmijën e tyre, e lënë agjërimin, duke e kompensuar më pas. Ndërkaq, sa i përket plakut në moshë të shtyrë, nëse nuk e përballon agjërimin, dihet se, kur Enes ibn Maliku ishte plakur shumë, e kishte lënë agjërimin për një ose dy vjet. Ndërkohë, për çdo ditë agjërimi kishte ushqyer një të varfër me bukë dhe mish." Shumica e lexuesve këtë ajet e lexojnë në formën: ﴾يُطِيقُونَهُ﴿ (Jutikune hu), lexim ky që haset më së shpeshti nëpër transmetime.

4505. Nga: Abdullah ibn Abasi

Is'haku më ka thënë: Na ka rrëfyer Revhu, e këtij i ka treguar Zekerija ibn Is'haku, e këtij i ka treguar Amër ibn Dinari se Atai tregon se e ka dëgjuar Ibn Abasin duke lexuar këtë ajet në këtë formë:

(وَعَلَى الَّذِينَ يُطَوَّقُونَهُ فِدْيَةٌ طَعَامُ مِسْكِينٍ) Në vend të (jutikune hu), e lexonte (jutavakune hu).

Ibn Abasi ka thënë: “Ky lexim nuk është i shfuqizuar. Fjala është për plakun dhe plakën në moshë të shtyrë, që nuk mund të agjërojnë, rrjedhimisht ushqejnë nga një nevojtar për secilën ditë (të agjërimit).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 4505

Fjalë të panjohura?