Sahihu i Buhariut — Hadithi 4511

30. Nënkapitulli: Ajeti: “... Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë muzgu. Mos iu afroni atyre (bashkëshorteve) gjatë kohës kur gjendeni në itikaf në xhami! Këta janë kufijtë e Allahut, prandaj mos iu afroni atyre! Kështu, pra, Allahu ua shpjegon njerëzve urdhëresat e veta, që ata të ruhen.”

﴾الْعَاكِفُ﴿ (El akifu): vendasi (Haxh, 25).

4511. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu

Ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Gasan Muhamed ibn Mutarrifi, e këtij i ka treguar Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur zbriti ajeti: “... Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) nga fija e zezë (errësira e natës)...”, pa pjesën “... e agimit...”, disa persona, kur donin të agjëronin, e lidhnin në njërën këmbë perin e bardhë dhe në tjetrën perin e zi dhe hanin (gjatë natës) derisa arrinin t'i dallonin të dy penjtë. Por, kur Allahu e zbriti pjesën tjetër të ajetit: “... e agimit...”, ata kuptuan se fjala ishte për natën dhe ditën.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 4511

Fjalë të panjohura?