Sahihu i Buhariut — Hadithi 4514

32. Nënkapitulli: Ajeti: “Luftojini ata derisa të mos ketë fitne dhe derisa të mbretërojë besimi vetëm për Allahun! Por, në qoftë se ata heqin dorë nga lufta kundër jush, atëherë s’ka armiqësi, përveçse kundër keqbërësve.”

4514. Nga: Abdullah ibn Omeri

Othman ibn Salihu transmeton nga Ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Fulani dhe Hajve ibn Shurejhu, e ky nga Bekër ibn Amër Muafiri, e këtij i ka treguar Bukejr ibn Abdullahu se Nafiu tregon: “Një burrë vajti tek Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e i tha: “O Ebu Abdurrahman, çfarë të shtyri që një vit të bësh haxh e vitin tjetër umre dhe ta braktisësh xhihadin në rrugën e Allahut Fuqiplotë, përderisa ti e di se sa shumë Allahu ka nxitur për të (xhihadin)?” Ai iu përgjigj: “O djali i vëllait tim! Islami është ngritur mbi pesë shtylla:

1. Mbi besimin në Allahun dhe të Dërguarin e Tij,

2. Pesë namazet,

3. Agjërimin e Ramazanit,

4. Dhënien e zekatit dhe

5. Kryerjen e haxhit në Qabe.

Ai i tha: “O Ebu Abdurrahman, a nuk ke dëgjuar se Allahu e ka përmendur në Librin e Tij: “Nëse dy palë besimtarësh bëjnë luftë midis tyre, pajtojini ata. Por, nëse njëra palë sulmon tjetrën, atëherë luftoni kundër sulmuesit, derisa të kthehet në urdhrat e Allahut...” (Huxhurat, 9) si dhe “Luftojini ata derisa të mos ketë fitne...” (Bekare, 193) Ai ia ktheu: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, kur Islami ka qenë i paktë, kemi punuar, saqë ndokush sprovohej në fenë e tij: ose e vrisnin, ose e torturonin, derisa Islami u rrit dhe nuk mbeti asnjë fitne.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 4514

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?