Sahihu i Buhariut — Hadithi 4535
46. Nënkapitulli: Ajeti: “Nëse keni frikë, faluni duke qenë në këmbë ose hipur (mbi kafshën e udhëtimit)! Kur të jeni të sigurt, atëherë t’i kryeni faljet për Allahun, ashtu si ju ka mësuar Ai atë që nuk e keni ditur!”
Ibn Xhubejri, për fjalën ﴾كُرْسِيُّهُ﴿ (Kursijuhu), ka thënë: dija e tij (Bekare, 255). ﴾بَسْطَةً﴿ (Bestatun): shtesë dhe tepricë (247); ﴾أَفْرِغْ﴿ (Efrig): zbrit (250); ﴾وَلَا يَئُودُهُ﴿ (Ve la jeuduhu): nuk e rëndon (255); ﴾سِنَةٌ﴿ (Sinetun): kotje (255); ﴾لَمْ يَتَسَنَّهْ﴿ (Lem jeteseneh): nuk ka ndryshuar (259); ﴾فَبُهِتَ﴿ (Buhite): mbeti pa argument (258); ﴾خَاوِيَةٌ﴿ (Havijeh): e zbrazur, pa njerëz (259); ﴾عُرُوشِهَا﴿ (Urushiha): ndërtimet e saj (259); ﴾نُنشِزُهَا﴿ (Nunshizu ha): e nxjerrim (259); ﴾إِعْصَارٌ﴿ (Isarun): erë e fuqishme, që fryn nga poshtë lart, si shtyllë, dhe përmban zjarr (266). Ibn Abasi ka thënë: ﴾صَلْدًا﴿ (Salden) domethënë: që nuk mban asgjë (264). Ikrime ka thënë: ﴾وَابِلٌ﴿ (Vabilun) domethënë: rrebesh shiu (264). ﴾فَطَلٌّ﴿ (Talun): vesë shiu (265). Kjo i ngjan punës së besimtarit.
4535. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku se Nafiu tregon se, kur Abdullah ibn Omerin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e pyetnin për namazin në kohë frike, thoshte: “Imami së bashku me një grup veçohen dhe imami ua fal një rekat, kurse pjesa tjetër qëndrojnë mes tyre dhe armikut pa u falur. Kur ata që janë me imamin përfundojnë një rekat, tërhiqen mbrapa, pa dhënë selam, duke i zëvendësuar ata që nuk janë falur. Grupi që nuk është falur afrohen dhe falin një rekat me imamin, i cili, pasi e kryen këtë rekat, largohet me dy rekate të falura. Pastaj, secili grup çohen dhe e falin veçmas nga një rekat, pasi imami ta ketë kryer namazin. Kështu, të dy grupeve u bie t'i falin nga dy rekate. Në rast se rreziku është edhe më i madh, secili falet si të mundet: duke ecur në këmbë a hipur në mjet udhëtimi, të drejtuar nga kibla ose jo në drejtim të saj.
Maliku ka thënë: “Nafiu thotë: “Mendoj se Ibn Omeri këtë e ka transmetuar nga i Dërguari i Allahut ﷺ.”