Sahihu i Buhariut — Hadithi 4549
60. Nënkapitulli: Ajeti: “Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin dhe betimin e tyre ndaj Allahut me një vlerë të vogël, nuk do të kenë asnjë të mirë në jetën e ardhshme. Allahu nuk do t’u flasë atyre, nuk do t’i shikojë në Ditën e Kiametit dhe nuk do t’i pastrojë prej gjynaheve e për ta do të ketë dënim të dhembshëm.”
4549. Nga: Abdullah ibn Mesudi
4549, 4550 - Haxhaxh ibn Minhali na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Ameshi, e ky nga Ebu Vaili se Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që me këmbëngulje betohet rrejshëm në Allahun që t'i përvetësojë pasurinë një muslimani, do ta takojë Allahun të hidhëruar me të.” Atëherë Allahu i Madhërishëm e zbriti ajetin: “Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin dhe betimin e tyre ndaj Allahut me një vlerë të vogël, nuk do të kenë asnjë të mirë në jetën e ardhshme. Allahu nuk do t'u flasë atyre, nuk do t'i shikojë në Ditën e Kiametit dhe nuk do t'i pastrojë prej gjynaheve e për ta do të ketë dënim të dhembshëm.” (Ali Imran, 77)
Eshath ibn Kajsi erdhi dhe tha: “Çfarë hadithi ju ka transmetuar Ebu Abdurrahmani?” Ne i treguam. Ai tha: “Ky ajet ka zbritur për mua. Kam pasur një bunar në tokën e një djali të xhaxhait tim (dhe, pas një zënke), Pejgamberi ﷺ më tha: “Silli dëshmitarët (për ta vërtetuar pronësinë tënde mbi bunarin), ose ai do të betohet.”
- E po, o i Dërguari i Allahut, ai do të betohet! - i thashë.
- “Ai që me këmbëngulje betohet rrejshëm në Allahun që t'i përvetësojë pasurinë një muslimani, do ta takojë Allahun të hidhëruar me të”, - i tha Pejgamberi ﷺ.