Sahihu i Buhariut — Hadithi 4602

102. Nënkapitulli: Ajeti: “Pa dyshim që hipokritët do të jenë në thellësinë më të madhe të Xhehenemit...”

Ibn Abasi ka thënë: Në fund të Zjarrit. ﴾نَفَقًا﴿ (Nefekan): gropë. (Enam, 35)

4602. Nga: Esved ibn Jezid

Omer ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Ibrahimi se Esvedi tregon: “Teksa ishim ulur rreth Abdullah ibn Mesudit, Hudhejfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) erdhi, u ndal te ne dhe, pasi na dha selam, tha: “Hipokrizia pati zbritur në mesin e një populli më të mirë se ju.” Unë thashë: “Subhanallah (i lartësuar qoftë Allahu)! Allahu thotë: “Pa dyshim që hipokritët do të jenë në thellësinë më të madhe të Xhehenemit...” (Nisa, 145) Abdullahu buzëqeshi, kurse Hudhejfe shkoi në një qoshe të xhamisë. Abdullahu u largua dhe njerëzit rreth tij u shpërndanë. Hudhejfe më gjuajti me një guralec dhe, kur i shkova pranë, më tha: “Çuditem me buzëqeshjen e tij, përderisa e kuptoi atë që thashë. Hipokrizia pati zbritur në mesin e një populli më të mirë se ju, por pastaj u penduan dhe Allahu ua pranoi pendimin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 4602

Fjalë të panjohura?