Sahihu i Buhariut — Hadithi 4607
107. Nënkapitulli: Ajeti: “... e nuk gjeni ujë, atëherë merrni tejemum me dhé të pastër...”
﴾تَيَمَّمُوا﴿ (Fe tejememu): mësyjani (dheut) (6); ﴾آمِّينَ﴿ (Amine): të drejtuar nga (2); ﴾لَامَسْتُمُ﴿ "(Ose) i keni prekur (gratë)": për marrëdhëniet intime (6).
4607. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Abdurrahman ibn Kasimi, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “Së bashku me të Dërguarin e Allahut ﷺ qemë në një udhëtim dhe, kur arritëm te vendi i quajtur Bejda ose Dhatu Xhejsh, m'u këput qaforja dhe më humbi. I Dërguari i Allahut ﷺ filloi ta kërkonte e bashkë me të edhe të tjerët. Përreth nuk kishte ujë e as njerëzit nuk posedonin ujë (për të marrë abdes), andaj disa shkuan tek Ebu Bekri dhe iu ankuan: “A nuk po sheh çfarë na bëri Aishja? Bëri që i Dërguari i Allahut ﷺ dhe të tjerët të çohen (në kërkim të qaforës), ndërkohë, këtej përqark, nuk ka ujë e as posedojnë njerëzit.”
Kështu, Ebu Bekri vajti tek i Dërguari i Allahut ﷺ, i cili po flinte me kokën mbështetur mbi prehrin tim e më tha: “E vonove Pejgamberin ﷺ dhe gjithë njerëzit, ndërkohë, këtej rrotull, as ka ujë, as posedojnë njerëzit. Më qortoi e më tha gjëra të rënda, pastaj filloi të më shpojë me dorë në ijë, por unë, duke mos dashur që i Dërguari i Allahut ﷺ ta largojë kokën nga prehri im, nuk lëviza. Ngaqë i Dërguari i Allahut ﷺ u zgjua nga gjumi, ishte pa abdes. Atëherë Allahu ﷻ e zbriti ajetin e tejemumit.”
Usejd ibn Hudajri tha: “Kjo nuk është begatia juaj e parë, oj familja e Ebu Bekrit!”
Aishja thotë: “Pasi e ngritëm devenë, në të cilën kisha hipur, e gjetëm qaforen nën të.”