Sahihu i Buhariut — Hadithi 4610
109. Nënkapitulli: Ajeti: “Pa dyshim se ndëshkimi i atyre që luftojnë kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe që bëjnë shkatërrime në Tokë, është të vriten ose të gozhdohen, ose t’u këputen duart dhe këmbët tërthorazi, ose të dëbohen nga vendi. Ky ndëshkim është poshtërim për ata në këtë jetë, ndërsa në jetën tjetër, për ata do të ketë dënim shumë të madh.”
Luftimi kundër Allahut nënkupton mohimin e Tij.
4610. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Abdullah Ensariu, e këtij i ka treguar Ibn Avniu, e këtij i ka treguar Sulejman Ebu Rexhai, i çrobëruari i Ebu Kilabes, se Ebu Kilabe rrëfen se një ditë ishte ulur mbrapa Omer ibn Abdulazizit kur të pranishmit përmendën betimin kolektiv dhe thanë se vetë halifët e mëhershëm kishin gjykuar sipas tij. Omeri u kthye nga unë, mbrapa shpinës, dhe m'u drejtua: “Çfarë thua, o Abdullah ibn Zejd!” Ose ka thënë: “O Ebu Kilabe?”
- Nuk di që në Islam lejohet të vritet ndokush, përveç: personit që bën zina, i cili ka qenë i martuar më parë; personit që vret dikë padrejtësisht ose atij që lufton kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij ﷺ, - i thashë.
- Enesi na ka rrëfyer kështu e kështu, - tha Anbese.
- Vetë mua m'i ka rrëfyer ato fjalë Enesi, - i thashë dhe vazhdova: - Ai më ka thënë: “Disa njerëz erdhën te Pejgamberi ﷺ dhe i thanë: “Nuk po mund t'i bëjmë ballë klimës së këtyre trojeve.” Ai u tha: “Këto janë devetë tona, të cilat dalin për kullosë, prandaj shkoni dhe pini nga qumështi dhe urina e tyre.”
Kështu, ata shkuan dhe pinë nga qumështi e urina e tyre. Si rrjedhojë, u shëruan, por e sulmuan bariun dhe e vranë, pastaj u grahën deveve (për t'i marrë). Pastaj vazhdova: “A për njerëzit e këtillë të mendohet (se çfarë duhet bërë me ta)? Ata vranë një person, luftuan kundër Allahut e të Dërguarit të Tij dhe e shqetësuan të Dërguarin e Allahut ﷺ.
- Subhanallah (i Lartësuar qoftë Allahu)! - ofshau Anbese.
- Po më akuzon për diçka? - i thashë dhe vazhdova: - Vetë Enesi na e ka rrëfyer këtë.
Ebu Rexhai tregon se, më pas, Anbese iu drejtua banorëve të Shamit: “O banorët e Shamit, ju do të vazhdoni të jeni në mirësi përderisa Allahu dëshiron që një gjë e këtillë të gjendet në mesin tuaj.”