Sahihu i Buhariut — Hadithi 4620
115. Nënkapitulli: Ajeti: “Nuk ka gjynah për ata që kanë besuar dhe kanë bërë vepra të mira për atë që kanë ngrënë, për sa kohë që ata ruhen (nga të ndaluarat), besojnë dhe bëjnë vepra të mira, e sërish ruhen dhe besojnë e vazhdimisht ruhen dhe bëjnë vepra të mira. Allahu i do punëmirët.”
4620. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e këtij i ka treguar Thabiti se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Vera që është derdhur në kohën e Pejgamberit ﷺ ka qenë e përfituar prej hurme.”
Muhamed Bikendiu më ka shtuar nga Ebu Numani se transmetuesi shton se Enesi ka rrëfyer: “Në shtëpinë e Ebu Talhait u shërbeja njerëzve për të pirë. Ebu Talhai më tha: “Dil shiko ç'është ky zë!” Unë dola dhe u thashë: “Një thirrës po thërret se alkooli është bërë haram.” Ai më tha: “Shko dhe derdhe të tërën!” Vera e derdhur rridhte nëpër rrugët e Medinës. Atëkohë, vera që ata përdornin ishte e prodhuar prej hurme. Disa njerëz thanë: “Ka të atillë që janë vrarë duke pasur alkool në barqet e tyre!” Atëherë Allahu e zbriti ajetin: “Nuk ka gjynah për ata që kanë besuar dhe kanë bërë vepra të mira për atë me të cilën janë ushqyer...” (Maide, 93)