Sahihu i Buhariut — Hadithi 4638
131. Nënkapitulli: Ajeti: “Kur Musai erdhi në kohën e caktuar dhe Zoti foli me të, ai tha: "O Zoti im, ma mundëso të të shoh!” Zoti tha: “Ti nuk mund të më shohësh! Por shiko në atë mal: nëse ai mbetet në vendin e vet, atëherë ti do të më shohësh Mua”. E kur Zoti i tij iu shfaq malit, e thërrmoi atë dhe e bëri pluhur, ndërsa Musait i ra të fikët. Kur erdhi në vete, ai tha: “I lavdëruar qofsh Ti o Zot! Kthehem te Ti i penduar. Unë jam i pari i besimtarëve!”
Ibn Abasi ka thënë: ﴾أَرِنِي﴿ (Erini): më jep.
4638. Nga: Ebu Seid Hudriu
Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Amër ibn Jahja Maziniu, e ky nga babai i tij se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Një hebre, të cilit i ishte rënë shuplakë fytyrës, erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe tha: “O Muhamed, njëri nga shokët e tu ensarë më ra shuplakë fytyrës.”
- “Thirrmani këtu!” - tha Pejgamberi ﷺ.
Me të ardhur, e pyeti: “Përse i ke rënë shuplakë?”
- O i Dërguari i Allahut, po kaloja pranë hebrenjve dhe e dëgjova këtë duke thënë: “Betohem në Atë që e ka përzgjedhur Musain kundrejt gjithë njerëzimit.” I thashë: “A edhe kundrejt Muhamedit ﷺ?!” Ensariu tha: “Atëherë më kaploi mllefi dhe i rashë shuplakë.”
- “Mos më mbivlerësoni kundrejt pejgamberëve të tjerë, sepse, kur njerëzve do t'u bjerë të fikët Ditën e Kiametit, unë do të jem i pari që do të këndellem. Atëherë do ta shoh Musain të kapur për një shtyllë të Arshit dhe nuk di nëse është këndellur para meje apo është mjaftuar me herën e parë kur i ka rënë të fikët te kodra Tur”, - iu drejtua Pejgamberi ﷺ.”