Sahihu i Buhariut — Hadithi 4640

132. Nënkapitulli: Ajeti: “Thuaj (o Muhamed): "O njerëz, unë jam i Dërguari i Allahut për të gjithë ju, i Atij që i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës. S'ka të adhuruar të denjë përveç Atij; Ai jep jetë dhe vdekje, prandaj besoni në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij, Pejgamberin që nuk di shkrim e lexim e që beson në Allahun dhe Fjalët e Tij! Shkoni pas Tij, që të jeni në rrugën e drejtë!”

4640. Nga: Ebu Derdai

Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sulejman ibn Abdurrahmani dhe Musa ibn Haruni, e këtyre u ka treguar Velid ibn Muslimi, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Ala ibn Zebri, e këtij i ka treguar Busr ibn Ubejdullahu, e këtij i ka treguar Ebu Idris Havlani se Ebu Derdai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Mes Ebu Bekrit dhe Omerit u shkaktua një polemikë, e në atë rast Ebu Bekri e zemëroi Omerin. Si rrjedhojë, Omeri u largua, kurse Ebu Bekri i shkoi pas duke i kërkuar ta falë, por Omeri nuk pranonte, derisa ia mbylli derën në fytyrë Ebu Bekrit.
Kështu, teksa po rrinim me të Dërguarin e Allahut ﷺ, Ebu Bekri erdhi me nxitim, e në atë rast i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Ky shoku juaj qenka grindur (me dikë).” Më pas, Omeri u pendua nga veprimet e tij, prandaj erdhi, dha selam dhe u ul afër Pejgamberit ﷺ për t'ia treguar ngjarjen. I Dërguari i Allahut ﷺ u zemërua, ndërsa Ebu Bekri thoshte: “Betohem në Allahun, o i Dërguari i Allahut, se unë isha gabim.” Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Vallë, mund ta lini të qetë shokun tim?! Vallë, mund ta lini të qetë shokun tim?! Kur unë thosha: “O njerëz, unë jam i Dërguari i Allahut për të gjithë ju...”, (Araf, 158) ju thoshit: “Po gënjen!”, ndërsa Ebu Bekri thoshte: “Po e thua të vërtetën!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 4640

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?