Sahihu i Buhariut — Hadithi 4647

136. Nënkapitulli: Ajeti: “O besimtarë! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret drejt asaj që ju jep jetë! Dhe ta dini se Allahu ndërhyn midis njeriut dhe zemrës së tij dhe se tek Ai do të mblidheni të gjithë!”

﴾لِمَا يُحْيِيكُمْ﴿ (Lima juhjikum): drejt asaj që jua përmirëson gjendjen.

4647. Nga: Ebu Seid ibn Mualai

Is'haku më ka thënë: Na ka rrëfyer Revhu, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Hubejb ibn Abdurrahmani, e ky e ka dëgjuar Hafs ibn Asimin se Ebu Seid ibn Muala tregon: “Teksa po falesha, i Dërguari i Allahut ﷺ kaloi pranë dhe më thirri, por unë nuk iu përgjigja derisa e përfundova namazin. Kur shkova, ai më tha: “Çfarë të pengoi të vije? A nuk thotë Allahu: “O besimtarë! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret...”? (Enfal, 24) Pastaj tha: “Para se të dal (nga xhamia), do të ta mësoj suren më madhështore në Kuran.” Kur deshi të dalë, unë ia rikujtova (atë që tha).
Muadhi ka thënë: “Na ka treguar Shuëbe nga Hubejb ibn Abdurrahmani, e ky e ka dëgjuar Hafsin, e ky e ka dëgjuar Ebu Seidin, një shok të Pejgamberit ﷺ, se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ajo është shtatëshja e përsëritur: ﴾الْحَمْدُ لِلَّـهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ﴿ (Falënderimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 4647

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?