Sahihu i Buhariut — Hadithi 4650
139. Nënkapitulli: Ajeti: “Luftoni kundër tyre, derisa të zhduket idhujtaria dhe derisa të mbetet vetëm feja e Allahut...”
4650. Nga: Abdullah ibn Omeri
Hasen ibn Abdulazizi na ka thënë: Na ka treguar Abdullah ibn Jahjai, e këtij i ka treguar Hajve, e ky nga Bekër ibn Amri, e ky nga Bukejri se Nafiu tregon se një burrë vajti tek Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e i tha:
- O Ebu Abdurrahman, a nuk i ke dëgjuar fjalët që Allahu i ka përmendur në Librin e tij: “Nëse dy palë besimtarësh bëjnë luftë midis tyre, pajtojini ata. Por, nëse njëra palë sulmon tjetrën, atëherë luftoni kundërsulmuesit, derisa të kthehet në urdhrat e Allahut. E, nëse kthehet, atëherë pajtojini ata midis tyre, me drejtësi dhe paanësi, sepse Allahu i do ata që veprojnë me drejtësi.”? (Huxhurat, 9) Çfarë po të pengon të mos luftosh siç e ka përmendur Allahu në Librin e Tij?
- O biri i vëllait tim, të qortohem me këtë ajet, duke mos luftuar, është më e dashur për mua sesa të qortohem me ajetin, në të cilin Allahu thotë: “Kushdo që vret një besimtar me qëllim, ndëshkimi i tij është Xhehenemi, në të cilin do të qëndrojë përgjithmonë. Allahu është zemëruar me atë, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur një dënim të madh”, (Enfal, 93) - u përgjigj ai.
- Allahu po thotë: “Luftoni kundër tyre, derisa të zhduket idhujtaria...”, (Enfal, 39) - tha personi në fjalë.
- Këtë e kemi bërë sa ka qenë gjallë i Dërguari i Allahut ﷺ, kur Islami ka qenë pakicë. Atëkohë, njeriu sprovohej në fenë e tij: e vrisnin ose e burgosnin dhe kjo vazhdoi derisa Islami u bë shumicë dhe më nuk pati idhujtari, - u përgjigj Ibn Omeri.
Por, kur ai pa se Ibn Omeri nuk po përgjigjej sipas dëshirës së tij, i tha: “Çfarë thua për Aliun dhe Othmanin?”
- Çfarë them unë për Aliun dhe Othmanin? Allahu Othmanin e ka falur, por ju urreni që Ai e ka falur, kurse Aliu është i biri i xhaxhait të të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe dhëndër i tij. Ja ku është e bija e tij, siç po e shihni, - tha Ibn Omeri duke bërë me dorë.