Sahihu i Buhariut — Hadithi 4665

150. Nënkapitulli: Ajeti: “... vetë të dytin, kur ishin në shpellë e ai i thoshte shokut të vet (Ebu Bekrit): Mos u mërzit, se Allahu është vërtet me ne!”

﴾مَعَنَا﴿ "Me ne": Ndihmësi ynë (40).

4665. Nga: Abdullah ibn Abasi

Abdullah ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Maini, e këtij i ka treguar Haxhaxhi, e ky nga Ibn Xhurejxhi se Ibn Ebu Mulejke tregon: “Mes tyre (Ibn Abasit dhe Ibn Zubejrit) kishte mosmarrëveshje, prandaj shkova tek Ibn Abasi dhe i thashë:
- Do ta luftosh Ibn Zubejrin duke lejuar luftën në Haremin e Mekës?
- Allahu më ruajttë! Allahu ka caktuar që Ibn Zubejri dhe benu umeje ta lejojnë (luftën brenda Haremit), kurse unë betohem në Allahun se kurrë nuk e llogaris të lejuar. Njerëzit më thanë: “Jepja besën Ibn Zubejrit.” Unë u thashë: “Ai nuk është larg kësaj pune (hilafetit). Babai i tij ka qenë ndihmësi i të Dërguarit të Allahut ﷺ, - duke aluduar në Zubejrin, - gjyshi i tij ka qenë shoqëruesi në shpellë - Ebu Bekri, nëna e tij ka qenë zonja e shokave - Esma, tezja e tij nëna e besimtarëve - Aishja, halla e tij gruaja e të Dërguarit të Allahut ﷺ - Hadixhja, si dhe halla e të Dërguarit të Allahut ﷺ ka qenë gjyshja e tij, - aludonte në Safijen. Pastaj ai vetë është i ndershëm në Islam dhe lexues i dalluar i Kuranit. Betohem në Allahun se, nëse ata (benu umejët) mbajnë lidhje me mua, e bëjnë për shkak të afërsisë familjare, e, nëse marrin pushtetin, janë meritorë dhe bujarë. Ai u dha përparësi tuvejtëve, usamëve dhe humejdëve, - aludonte në disa familje të fisit benu esed: në ibn tuvejtët, benu usamët dhe benu esedët. Ibn Ebu Asi triumfoi duke bërë punë të mëdha, - aludonte në Abdulmelik ibn Mervanin, - kurse ky mbeti mbrapa, - aludonte në Ibn Zubejrin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 4665

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?