Sahihu i Buhariut — Hadithi 4745

219. Nënkapitulli: Ajeti: “E, ata që i fajësojnë gratë e tyre (për zina), pa pasur dëshmitar përpos vetes, do të vërtetojnë dëshminë e tyre me betim në Allahun, katër herë, se ai e thotë të vërtetën.”

4745. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu

Is'haku na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Jusuf Ferjabiu, e këtij i ka treguar Evzaiu, e këtij i ka treguar Zuhejri se Sehël ibn Sad Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Uvejmiri vajti tek Asim ibn Adiu, zotëria i fisit benu axhlan, e i tha: “Çfarë thoni për një burrë që gjen një burrë tjetër me gruan e tij? A e vret atë e pastaj edhe këtë ta vrisni, apo si të veprojë? Pyete për mua të Dërguarin e Allahut ﷺ në lidhje me këtë.”
Kështu, Asimi shkoi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut...” Por, Pejgamberi ﷺ i urrente pyetjet (për gjëra para se të ndodhnin). Uvejmiri e pyeti Asimin, por iu përgjigj: “I Dërguari i Allahut ﷺ i urren pyetjet (për gjëra para se të ndodhin) dhe i qorton ato.”
Atëherë Uvejmiri tha: “Për Allahun, nuk do të ndalem derisa vetë ta pyes për këtë.”
Kështu, Uvejmiri shkoi dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, çfar thua për një burrë që gjen një burrë tjetër me gruan e tij? A e vret atë, e pastaj edhe këtë ta vrisni, apo si të veprojë?” Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Allahu zbriti Kuran për ty dhe për gruan tënde.” Pastaj i Dërguari i Allahut ﷺ i urdhëroi këta dy që të mallkojnë njëri-tjetrin, ashtu siç e ka përmendur Allahu në Librin e Tij.
Kështu, Uvejmiri e mallkoi gruan, pastaj tha: “O i Dërguari i Allahut, nëse e mbaj atë, vetëm se i bëj zullum.” Prandaj e shkurorëzoi. Pas tyre, tradita mbeti e tillë për ata që mallkohen mes vete (bëjnë lian).
Pas kësaj, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Shikojeni atë, nëse ajo lind fëmijë të zi, me sy të zi, me vithe të mëdha e me kërcinj të plotë, mendoj se Uvejmiri e ka thënë të vërtetën për të. E, nëse ajo e lind të kuq sikurse të ishte lloj zhapiu, mendoj se Uvejmiri ka gënjyer për të.”
Ajo e lindi (të zi) ashtu siç e kishte përshkruar i Dërguari i Allahut ﷺ, duke i miratuar fjalët e Uvejmirit, kështu që pas kësaj fëmija i atribuohej nënës së vet.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 4745

Hadithe të ngjashme: Shiko (10)

Fjalë të panjohura?