Sahihu i Buhariut — Hadithi 4756
228. Nënkapitulli: Ajeti: “Allahu jua sqaron argumentet juve, sepse Ai është i Dijshëm e i Urtë.”
4756. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Adiu, e këtë e ka lajmëruar Shuëbe, e ky nga Ameshi, e ky nga Ebu Duha se Mesruku tregon: “Kur Hasan ibn Thabiti shkoi tek Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), i recitoi:
"E ndershmja, e urta, për dyshime nuk akuzohet,
E uritur qëndron, dhe mishit të të ndershmeve nuk i afrohet.”
Atëherë Aishja i tha atij: “Por ti nuk je ashtu.”
E pyeta Aishen: “Pse po e lejon të tillin të vijë te ti, kur Allahu i Madhëruar ka thënë: “... kurse atë që ka shpifur më shumë...” (Nur, 11)
- E po, a ka dënim më të madh se verbëria? Megjithatë, ai e mbronte të Dërguarin e Allahut ﷺ me poezitë e tij, - tha Aishja.”