Sahihu i Buhariut — Hadithi 4795
250. Nënkapitulli: Ajetet: “O besimtarë, mos hyni në shtëpitë e të Dërguarit, përveç rastit kur ju është dhënë leje për të ngrënë, por jo të pritni përgatitjen e tij (ushqimit)! Hyni vetëm kur t’ju thërrasin dhe, pasi të hani, shpërndahuni! Mos qëndroni pas ushqimit për të biseduar me njëri-tjetrin. Kjo, me të vërtetë, e shqetësonte të Dërguarin e ai turpërohej (që t’jua thoshte këtë), ndërsa Allahu nuk turpërohet që t’jua thotë të vërtetën. Kur të kërkoni prej grave të Pejgamberit diçka, kërkojeni prapa perdes! Kjo është më e pastër për zemrat tuaja dhe të atyre. Juve nuk ju lejohet që ta shqetësoni të Dërguarin e Allahut, as që të martoheni me gratë e tij, pas (vdekjes së) tij. Kjo është vërtet gjynah i madh para Allahut.”
4795. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Zekerija ibn Jahjai më ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pasi u obligua hixhabi, Sevda doli për disa nevoja të veta. Ajo ka qenë grua shtatgjatë, kështu që, kushdo që e njihte, mund ta dallonte. Kur e pa Omer ibn Hatabi, i tha: “Oj Sevdë, për Allahun, ne po të njohim, shiko si po del!” Në atë rast Sevda u kthye menjëherë. Ndërkohë, i Dërguari i Allahut ﷺ ishte në shtëpinë time duke darkuar dhe në dorë kishte një copë ashti me mish. Sakaq, ajo hyri dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, unë dola për disa nevoja të miat, ndërkaq Omeri më tha kështu e kështu.” Atëherë Allahu zbriti shpalljen dhe, me të mbaruar, duke pasur copën e mishit në dorë, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Ju është lejuar të dilni për nevojat tuaja.”