Sahihu i Buhariut — Hadithi 4796
251. Nënkapitulli: Ajetet: “Në qoftë se e shfaqni apo e fshihni një gjë, Allahu, me të vërtetë, është i Gjithëdijshëm për çdo gjë. Nuk është mëkat për ato (nëse nuk mbulohen) prej etërve, djemve dhe vëllezërve të tyre, si dhe djemve të vëllezërve të tyre, po ashtu djemve të motrave dhe grave të tyre, si dhe atyre që janë nën pushtetin e tyre. Frikësojuni Allahut, se, me të vërtetë, Allahu është Dëshmitar për çdo gjë.”
4796. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Eflehu, vëllai i Ebu Kuajsit, kërkoi leje për të hyrë tek unë, pasi hixhabi ishte bërë obligim, andaj thashë: “Nuk do ta lejoj të hyjë pa i marrë leje Pejgamberit ﷺ, sepse vëllai i Ebu Kuajsit s'më ka ushqyer me gji, por më ka ushqyer gruaja e Ebu Kuajsit.”
Kur Pejgamberi ﷺ erdhi tek unë, i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Eflehu, vëllai i Ebu Kuajsit, kërkoi leje për të hyrë tek unë, por unë nuk e lejova pa të pyetur ty fillimisht.”
- “Çfarë të pengoi t'i japësh leje? Ai është xhaxhai yt (prej qumështi)”, - më tha Pejgamberi ﷺ.
- O i Dërguari i Allahut, burri nuk më ka ushqyer me gji. Mua më ka dhënë gji gruaja e Ebu Kuajsit, - i thashë.
- “Jepi leje, sepse ai është xhaxhai yt, t'u pluhurosshin duart!” - më tha Pejgamberi ﷺ.
Urve thotë: “Për këtë arsye Aishja thoshte: “Gjërat që i ndaloni për shkak të gjakut, ndalojini edhe në rast të gjidhënies.”