Sahihu i Buhariut — Hadithi 4846
284. Nënkapitulli: Ajeti: “O ju që keni besuar! Mos e ngrini zërin tuaj mbi zërin e Pejgamberit dhe mos i flisni atij me zë të lartë, siç bëni me njëri-tjetrin, në mënyrë që të mos ju humbin veprat tuaja pa e ndier ju fare!”
﴾تَشْعُرُونَ﴿ "Pa e ndier": Pa e ditur (2).
4846. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ez'her ibn Sadi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Avniu, e këtë e ka lajmëruar Musa ibn Enesi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ kishte vënë re se Thabit ibn Kajsi mungonte. Dikush i tha: “O i Dërguari i Allahut, unë do të të njoftoj për të.” Kështu, shkoi tek ai dhe e gjeti duke ndenjur kokulur në shtëpi, andaj e pyeti:
Çfarë ke?
- Vetëm të këqija, - iu përgjigj Thabiti dhe i tregoi se si ai e ngrinte zërin mbi atë të Pejgamberit ﷺ, gjë për të cilën thoshte se i janë shkatërruar veprat dhe, si rrjedhojë, është bërë banor i Zjarrit.
Lajmëtari shkoi te Pejgamberi ﷺ dhe i tregoi çfarë i kishte thënë. Musa ibn Enesi thotë: “Pastaj, lajmëtari u kthye sërish te Thabiti me myzhde të madhe dhe i tregoi se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Shko tek ai dhe thuaji: “Ti nuk je banor i Zjarrit, por banor i Xhenetit.”