Sahihu i Buhariut — Hadithi 4886
312. Nënkapitulli: Ajeti: “Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni.”
4886. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Mensuri, e ky nga Ibrahimi se Alkame tregon se Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) i mallkoi ato që u bëjnë tatuazh të tjerave dhe që e bëjnë për vete, po ashtu ato që ua shkulin qimet e fytyrës të tjerave dhe ato që i rrallojnë dhëmbët për zbukurim, të cilat e ndryshojnë krijimin e Allahut të Madhëruar. Pasi u informua për këtë, një pjesëtare e fisit benu esed, që quhej Umu Jakub, erdhi dhe tha: “Jam informuar se ti ke thënë kështu e kështu?!”
- Përse të mos i mallkoj ato që i ka mallkuar i Dërguari i Allahut ﷺ, ndërkohë këtë e kemi në Librin e Allahut?! - tha Abdullahu.
- Unë e kam lexuar tërë atë që është mes dy kopertinave, porse nuk e kam hasur këtë që po thua ti! - tha ajo.
- Sikur ta lexoje, do ta gjeje. A nuk e ke lexuar: “Çfarëdo që t'ju japë i Dërguari, merreni, e çfarëdo që t'ju ndalojë, hiqni dorë prej saj...”? (Hashr, 7) - e pyeti Abdullahu.
- Posi, - tha ajo.
- Ai e ka ndaluar këtë gjë, - tha Abdullahu.
- Unë e shoh gruan tënde duke e bërë këtë, - i tha ajo.
- Shko dhe shikoje, - i tha Abdullahu.
Ajo shkoi dhe e shikoi, por nuk pa asgjë që kërkonte. Atëherë Abdullahu i tha: “Sikur të ishte ashtu (siç pretendove), unë nuk do të bëja marrëdhënie me të.”