Sahihu i Buhariut — Hadithi 4903
Nënkapitulli: Ajeti: “Kur i shihni ata, pamja e tyre e bukur ju mahnit e, nëse flasin, ju i dëgjoni fjalët e tyre. E megjithatë, ata janë si trungje të mbështetura. Ata kujtojnë se çdo thirrje që dëgjojnë është kundër tyre. Ata janë armiqtë e vërtetë, andaj ruajuni prej tyre! Allahu i vraftë! Sa shumë që janë larguar (nga e vërteta)?!”
4903. Nga: Zejd ibn Erkami
Amër ibn Halidi na ka thënë: Na ka treguar Zuhejr ibn Muaviu, e këtij i ka treguar Ebu Is'haku se Zejd ibn Erkami (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njëherë, dolëm me Pejgamberin ﷺ për një udhëtim dhe njerëzit i kaploi uria. Abdullah ibn Ubeji u tha shokëve të vet: “Mos u jepni asgjë atyre që janë me të Dërguarin e Allahut, që të largohen prej tij.” Gjithashtu, tha: “Po u kthyem në Medinë, pa dyshim se i privilegjuari i banorëve të saj do ta dëbojë të ulëtin.” Unë shkova dhe i tregova Pejgamberit ﷺ, i cili dërgoi dikë për ta thirrur Abdullah ibn Ubejin dhe e pyeti rreth kësaj. Por, ai nguli këmbë duke u betuar se nuk e kishte thënë. Të pranishmit thanë: “Zejdi e gënjeu të Dërguarin e Allahut ﷺ.” Si rrjedhojë, unë u ngushtova shumë, derisa Allahu i Madhërishëm zbriti shpallje që vërtetoi fjalët e mia: “Kur të erdhën ty hipokritët...” Pejgamberi ﷺ i thirri, në mënyrë që të kërkonte falje për ta, por ata vetëm tundnin kokat. Fjala e Allahut Fuqiplotë: “... mirëpo, ata u ngjasojnë trungjeve të mbështetura” nënkupton se kanë qenë burra të pashëm.”