Sahihu i Buhariut — Hadithi 4907

328. Nënkapitulli: Ajeti: “Ata thonë: "Nëse kthehemi në Medinë, pa dyshim që të fuqishmit do t’i dëbojnë të dobëtit nga ajo! Në të vërtetë, fuqia është e Allahut, e të Dërguarit të Tij dhe e besimtarëve, por hipokritët nuk e dinë.”

4907. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Humejdiu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky e ka mësuar përmendsh nga Amër ibn Dinari se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Në një betejë, një muhaxhir i dha një shkelm mbrapa një ensariu. Si pasojë, ensariu thirri: “O ensarë (ndihmë)!” Edhe muhaxhiri thirri: “O muhaxhirë (ndihmë)!” Allahu ia mundësoi të Dërguarit të Tij ﷺ ta dëgjojë këtë, e në atë rast tha: “Ç'është kjo?” Të pranishmit iu përgjigjën: “Një muhaxhir i dha një shkelm mbrapa një ensariu, ndaj ensariu thirri: “O ensarë (ndihmë)!” Edhe muhaxhiri thirri: “O muhaxhirë (ndihmë)!” Atëherë Pejgamberi ﷺ u tha: “Hiqjuni kësaj! Kjo është gjë e shëmtuar.”
Xhabiri thotë: “Kur Pejgamberi ﷺ erdhi në Medinë, ensarët qenë shumicë, por, më vonë, muhaxhirët u bënë më shumë.
Abdullah ibn Ubeji tha: “Vallë, ashtu paskan bërë? Betohem në Allahun se, po u kthyem në Medinë, të fortët do t'i përzënë të dobëtit që andej.” Omer ibn Hatabi tha: “O i Dërguari i Allahut, lërmë t'ia pres kokën këtij hipokriti!” Por, Pejgamberi ﷺ tha: “Lëre, se pastaj njerëzit do të thonë se (Muhamedi) po i vret shokët e vet.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 4907

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?