Sahihu i Buhariut — Hadithi 4928

Nënkapitulli: Ajeti: “Ne e kemi për detyrë tubimin dhe leximin e tij!”

4928. Nga: Abdullah ibn Abasi

Ubejdullah ibn Musai transmeton nga Israili se Musa ibn Ebu Aishe tregon se e ka pyetur Seid ibn Xhubejrin për fjalën e Allahut: “Mos nxito (o Muhamed) në leximin e Kuranit me gjuhën tënde!” (Kijame, 16) Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kur të Dërguarit të Allahut ﷺ i zbriste shpallja, ai i lëvizte buzët, andaj iu tha: “Mos nxito (o Muhamed) në leximin e Kuranit me gjuhën tënde!” Këtë ai e bënte nga frika mos harronte ndonjë pjesë. (Pastaj zbriti) “Ne e kemi për detyrë tubimin...” (Kijame, 17) Pra, ta tubojmë atë në gjoksin tënd. “... dhe leximin e tij”, domethënë: ta lexosh atë. E, kur e lexojmë...”, Ibn Abasi thotë se në vijim i zbriti: “... ti përcille leximin e tij! Pastaj, e kemi Ne për detyrë ta shpjegojmë.” (Kijame, 18-19) Domethënë, ta shpjegojmë atë nëpërmjet gjuhës sate.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 4928

Fjalë të panjohura?