Sahihu i Buhariut — Hadithi 5029
21. Nënkapitulli: Më i miri prej jush është ai që e mëson Kuranin e pastaj ua mëson të tjerëve
5029. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Amër ibn Avniu na ka thënë: Na ka treguar Hamadi nga Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një grua vajti te Pejgamberi ﷺ e i tha se martesën e saj ia kishte lënë në dorë Allahut dhe të Dërguarit të tij ﷺ. Pejgamberi ﷺ i tha:
- “Unë nuk kam nevojë për gra.”
- Martoje me mua! - tha një burrë.
- “Atëherë, dhuroja një rrobë!” - ia ktheu Pejgamberi ﷺ.
- Nuk kam, - tha ai.
- “E po, të paktën dhuroja një unazë hekuri!” - tha Pejgamberi ﷺ.
Pasi ai këmbënguli, Pejgamberi ﷺ i tha:
- “Sa di përmendsh nga Kurani?”
Ai i tregoi se di kaq e aq, prandaj Pejgamberi ﷺ i tha: “Po të martoj me të, e për mehër mësoja pjesët që di përmendsh prej Kuranit.”