Sahihu i Buhariut — Hadithi 5030

22. Nënkapitulli: Këndimi i Kuranit përmendsh

5030. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Jakub ibn Abdurrahmani nga Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një grua erdhi te Pejgamberi ﷺ e i tha: “O i Dërguari i Allahut! Kam ardhur të ta dhuroj veten time.” I Dërguari i Allahut ﷺ drejtoi shikimin nga ajo, e vështroi mirë, pastaj uli kokën. Kur gruaja pa se ai nuk mori ndonjë vendim për të, u ul. Një nga shokët e tij u ngrit dhe tha:
- O i Dërguari i Allahut! Nëse nuk ke nevojë për të, martoje me mua!
- “A ke diçka për t'i ofruar?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Për Allahun, nuk kam asgjë, o i Dërguari i Allahut! - tha ai.
- “Shko te familja jote dhe shiko mos po gjen diçka!” - i tha Pejgamberi ﷺ.
Kështu, ai shkoi e u kthye, pastaj tha:
- Për Allahun, nuk gjeta asgjë, o i Dërguari i Allahut.
- “Shiko, qoftë dhe një unazë prej hekuri!” - i tha Pejgamberi ﷺ.
Ai shkoi prapë e u kthye dhe tha:
- Për Allahun, o i Dërguari i Allahut, nuk gjeta as unazë prej hekuri, por ja ku e kam izarin, le ta marrë ajo gjysmën.
Sehli thotë: “Ai nuk posedonte rida fare.”
- “E ç'të bëjë ajo me izarin tënd? Nëse do ta veshësh ti, asaj s'do t'i mbetet gjë, e, nëse ajo e vesh, ti s'do të kesh asgjë për të veshur?” - i tha Pejgamberi ﷺ.
Burri u ul dhe qëndroi ashtu për një kohë e pastaj u ngrit. Pejgamberi ﷺ pa se donte të largohej, andaj urdhëroi t'ia thërrisnin. Kur erdhi, i tha:
- “Sa di nga Kurani?”
- Di këtë sure, këtë sure dhe këtë sure, - tha ai, dhe i numëroi ato.
- “A mund t'i thuash përmendsh?” - i tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
- Po, - iu përgjigj ai.
“Shko! Po të martoj me të, e për mehër mësoja pjesët që di përmendsh nga Kurani”, - i tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5030

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?