Sahihu i Buhariut — Hadithi 5044
28. Nënkapitulli: Leximi i Kuranit rrjedhshëm
Allahu i Lartësuar ka thënë: “... dhe lexoje Kuranin ngadalë dhe qartë!” (Muzemil, 4) Dhe: “Ky është një Kuran, që Ne e kemi ndarë pjesë-pjesë, që ti t’ua mësosh njerëzve pak nga pak, duke e shpallur atë kohë pas kohe.” (Isra, 106) Po ashtu, është e urryer të shpejtuarit gjatë leximit të Kuranit duke e ngjasuar me poezi.
5044. Nga: Abdullah ibn Abasi
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Xheriri nga Musa ibn Ebu Aishe, e ky nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), duke komentuar fjalën e Allahut: “Mos nxito (o Muhamed) në leximin e Kuranit me gjuhën tënde!”, (Kijame, 16) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ, kur Xhibrili ia sillte shpalljen, shpejtonte gjuhën dhe buzët për ta përsëritur, gjë që e mundonte dhe kjo vërehej tek ai. Prandaj, Allahu zbriti ajetin e sures Kijame: “Mos nxito (o Muhamed) në leximin e Kuranit me gjuhën tënde. Ne, do t'i tubojmë pjesët e tij (Kuranit), për ta lexuar atë (si është). Dhe, kur ta lexojmë atë, ti vetëm përcille leximin e tij!” (Kijame, 16-18) Pra, Ne e kemi marrë përsipër që ta tubojmë atë në gjoksin tënd dhe që ta lexojmë: “Dhe, kur ta lexojmë atë, ti vetëm përcille leximin e tij!” (Kijame, 18) Pra, kur ta zbresim Kuranin, dëgjoje me vëmendje. “Pastaj, e kemi Ne për detyrë ta shpjegojmë.” (Kijame, 19) Pra, Ne e kemi marrë përsipër që ta shpjegojmë atë përmes gjuhës sate. Pas kësaj, kur i vinte Xhibrili, e dëgjonte me vëmendje, e, kur shkonte, e lexonte ashtu siç ia kishte zbritur Allahu.”