Sahihu i Buhariut — Hadithi 5065
2. Nënkapitulli: Fjala e Pejgamberit ﷺ: “Ai që i ka mundësitë, le të martohet, sepse e ka më të lehtë uljen e shikimit dhe ruajtjen e nderit.” Dhe, a duhet të martohet ai që nuk ka nevojë për martesë?
5065. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Omer ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Ibrahimi se Alkame tregon: “Othmani e takoi Abdullah ibn Mesudin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), teksa unë isha me të, e i tha: “O Ebu Abdurrahman, kam një punë me ty!” Pasi u vetmuan, Othmani i tha: “A dëshiron të të martojmë me një beqare, që do të ta rikujtojë rininë?” Meqë Abdullahu nuk kishte nevojë për martesë, mua ma bëri me shenjë dhe më tha: “O Alkame (eja)!” Unë iu afrova, e ai ishte duke i thënë (Othmanit): “Pasi që po e thua këtë, Pejgamberi ﷺ na ka thënë: “O ju rini, ai që i ka mundësitë, le të martohet. Ndërkaq, ai që nuk i ka mundësitë, le të agjërojë, sepse agjërimi ia shuan epshin.”