Sahihu i Buhariut — Hadithi 5072

7. Nënkapitulli: Fjala e dikujt drejtuar vëllait të tij: "Shiko njërën nga dy gratë e mia, që unë ta shkurorëzoj për ta marrë ti."

Këtë e transmeton Abdurrahman ibn Aufi.

5072. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Muhamed ibn Kethiri na ka thënë: Na ka treguar Sufjani nga Humejd Tavili se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Abdurrahman ibn Aufi erdhi në Medinë, Pejgamberi ﷺ e vëllazëroi me Sad ibn Rebi Ensariun. Ensariu i kishte dy gra, andaj ia ofroi gjysmën e pasurisë dhe njërën prej grave të tij.
- Allahu të begatoftë në familjen dhe në pasurinë tënde, por vetëm më drejto te tregu! - i tha Abdurrahmani.
(Kur u kthye prej tregut) Abdurrahmani tanimë kishte fituar pak djathë dhe gjalpë. Pas disa ditësh, Pejgamberi ﷺ e pa Abdurrahmanin tek i vëreheshin gjurmë të verdha parfumi, andaj e pyeti:
- “Ç'është kjo, o Abdurrahman?”
- Jam martuar me një ensare.
- “Çfarë i dhe për mehër?”
- Ar sa bërthama e hurmës.
- “Bëj një gosti, të paktën me një dele”, - i tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5072

Hadithe të ngjashme: Shiko (11)

Fjalë të panjohura?