Sahihu i Buhariut — Hadithi 5087
15. Nënkapitulli: Martesa e të varfrit
Allahu i Madhëruar ka thënë: “... Nëse janë të varfër, Allahu i begaton me mirësitë e Tij...” (Nur, 32)
5087. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Ebu Hazimi nga babai i tij se Sehël ibn Sad Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një grua erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ e i tha: “O i Dërguari i Allahut! Kam ardhur të ta dhuroj veten time.” I Dërguari i Allahut ﷺ ktheu kokën nga ajo, e shikoi, pastaj uli kokën. Kur gruaja e pa se ai nuk mori ndonjë vendim për të, u ul. Një nga shokët e tij u ngrit dhe tha:
- O i Dërguari i Allahut! Nëse nuk ke nevojë për të, martoje me mua!
- “A ke diçka për t'i ofruar?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Për Allahun, nuk kam asgjë, o i Dërguari i Allahut, - tha ai.
- “Shko te familja jote dhe shiko mos po gjen diçka!” - tha Pejgamberi ﷺ.
Ai shkoi dhe u kthye, pastaj tha: “Për Allahun, nuk gjeta asgjë.” I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Shiko, qoftë dhe një unazë prej hekuri!” Shkoi prapë e u kthye dhe tha: “Për Allahun, o i Dërguari i Allahut, nuk gjeta as unazë prej hekuri, por ja ku e kam izarin, le ta marrë ajo gjysmën.” Sehli thotë: “Ai nuk posedonte rida fare.”
- “Çfarë të bëjë ajo me izarin tënd? Nëse do ta veshësh ti, asaj s'do t'i mbetet gjë, e, nëse ajo e vesh, ti s'do të kesh asgjë për të veshur?” - tha Pejgamberi ﷺ.
Burri u ul dhe qëndroi ashtu për një kohë. Pastaj u ngrit dhe i Dërguari i Allahut ﷺ e pa se donte të largohej, andaj urdhëroi që ta thërrisnin. Kur erdhi, i tha: “Sa di nga Kurani?”
- Di këtë sure dhe këtë sure, - tha ai dhe i numëroi.
- “A mund t'i thuash përmendsh?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Po.
- “Shko! Po të martoj me të, e për mehër mësoja pjesët që di përmendsh nga Kurani”, - i tha Pejgamberi ﷺ.”