Sahihu i Buhariut — Hadithi 5091

16. Nënkapitulli: Barazia në fe

Allahu i Madhëruar ka thënë: “Dhe, Ai është që ka krijuar prej ujit njeriun, e bëri atë të ketë farefisni dhe miqësi. Dhe, Zoti yt, është i Plotëfuqishëm.” (Furkan, 54)

5091. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu

Ibrahim ibn Hamzai na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Hazimi nga babai i tij se Sehli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një njeri (i pasur) kaloi pranë të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe Pejgamberi ﷺ pyeti:
- “Çfarë thoni për këtë?”
- Nëse kërkon të martohet, është meritor për martesë, e, nëse ndërmjetëson, i pranohet, nëse flet, i dëgjohet fjala, - thanë të pranishmit.
Ai heshti dhe, kur kaloi një musliman i varfër, i pyeti:
- “Po për këtë, çfarë thoni?”
- Nëse kërkon të martohet, nuk i jepet, nëse ndërmjetëson, nuk i pranohet dhe, nëse flet, nuk i dëgjohet fjala, - thanë ata.
Atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Ç'është e vërteta, ky është më i mirë sesa toka plot me njerëz sikurse ai i pari.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5091

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?