Sahihu i Buhariut — Hadithi 5105

25. Nënkapitulli: Gratë që lejohen dhe që nuk lejohen (për martesë)

Allahu Fuqiplotë ka thënë: “Ju ndalohet kurorëzimi me nënat tuaja, me bijat tuaja, me motrat tuaja, me hallat tuaja, me tezet tuaja, me bijat e vëllaut tuaj, me bijat e motrës suaj, me nënat (gratë) që u kanë dhënë gji, me motrat tuaja që kanë thithur prej një gjiu, me nënat e grave tuaja (vjehrrat), me vajzën e gruas suaj, - e cila gjendet nën kujdestarinë tuaj, nëse me atë grua keni pasur marrëdhënie bashkëshortore; e nëse nuk keni pasur marrëdhënie bashkëshortore, atëherë nuk ka pengesa (për kurorëzim me vajzën e gruas). U ndalohet kurorëzimi me gratë e bijve të barkut tuaj dhe t’i bashkoni dy motra (ortake), përveç rasteve që kanë ekzistuar para islamit. Se Allahu, me të vërtetë është falës dhe mëshirues. (U ndalohet juve të kurorëzoheni) dhe me gratë që gjenden nën kurorë, përveç atyre që janë nën pushtetin tuaj (skllave). Ky është urdhëri i Allahut. U janë lejuar të tjerat, përpos tyre (që u përmendën), që t’i kërkoni (për kurorëzim) me pasurinë tuaj për martesë definitive, e jo për jetë të përkohshme (që është në kundërshtim me dispozitat e fesë). Me ato që kaloni jetë bashkëshortore, jepuni atyre dhuratat e obligueshme (shpenzimet) për jetesë. S’ka mëkat për ju, me pëlqimin e të dy palëve, që ta shtoni apo ta mungoni sasinë e dhuratës së premtuar. Se, Allahu, me të vërtetë, është i Dijeplotë dhe Urtiplotë.” (Nisa, 23-24) Enesi, përkitazi me Fjalën e Allahut: “(Ju ndalohet martesa) edhe me gratë që gjenden nën kurorë...” ka thënë: "Pra, gratë e lira që janë të martuara me dikë tjetër janë haram (për ju). “... përveç atyre që janë nën pushtetin tuaj (skllave)...” Nuk prish punë ta marrë skllaven e cila mund të jetë e martuar me rob. Dhe ka thënë: “Mos u martoni me paganet, derisa të bëhen besimtare...” (Bekare, 221) Ibn Abasi ka thënë: "Çka shton më shumë se katër është haram, siç është nëna, vajza a motra e tij."

5105. Nga: Abdullah ibn Abasi

Ahmed ibn Hanbeli na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Seidi nga Sufjani, e këtij i ka treguar Habibi, e ky nga Seidi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Për shkak të gjenealogjisë ju ndalohet të martoheni me shtatë gra dhe për shkak të krushqisë me shtatë të tjera. Pastaj e lexoi ajetin: “Ju ndalohet martesa me nënat tuaja...” (Nisa, 23)
Abdullah ibn Xhaferi i ka bashkuar nën një kurorë të bijën dhe gruan e Aliut (kjo nuk ishte nëna e së parës). Ibn Sirini ka thënë se kjo gjë është e lejuar. Ndërkaq, Haseni, në fillim, urrente një gjë të tillë, por pastaj e lejoi (bashkimin e gruas dhe vajzës së një burri, nën një kurorë).
Hasen ibn Hasen ibn Aliu i bashkoi në një kurorë, brenda një nate, dy vajzat e xhaxhallarëve. Ndërkaq, Xhabir ibn Zejdi e urrente këtë gjë, për shkak të shkëputjes së lidhjes familjare, edhe pse nuk është e ndaluar, duke u bazuar në ajetin: “Ju janë lejuar të tjerat (përveç atyre që u përmendën)...” (Nisa, 24)
Ikrime tregon se Ibn Abasi ka thënë: “Nëse dikush bën amoralitet me motrën e gruas, nuk i bëhet haram gruaja e tij.”
Tregohet se Jahja Kindiu ka transmetuar prej Shabiut dhe Ebu Xhaferit fjalët: “Atij që dëfrehet me një fëmijë mashkull dhe bën homoseksualizëm me të, nuk i lejohet të martohet me nënën e atij fëmije.” Por, ky farë Jahjai nuk është i njohur dhe askush tjetër nuk i ka transmetuar këto fjalë kështu.
Ikrime tregon se Ibn Abasi ka thënë: “Nëse bën amoralitet me nënën e gruas, nuk i bëhet haram gruaja e tij.” Ndërkaq, Ebu Nasri përcjell nga Ibn Abasi se kjo vepër e bën të ndaluar (gruan e tij). Por, ky farë Ebu Nasri nuk njihet se ka mësuar prej Ibn Abasit. Ndërkaq, nga Imran ibn Husajni, Xhabir ibn Zejdi, Haseni dhe disa banorë të Irakut përcillet: “(Nëse bën amoralitet me nënën e gruas) gruaja i bëhet e ndaluar.” Ebu Hurejra ka thënë: “Gruaja nuk i bëhet e ndaluar, derisa ta shtrijë përtokë (nënën e gruas).” Pra, derisa të bëjë marrëdhënie intime me të. Ibn Musejebi, Urve dhe Zuhriu kanë thënë: “(Edhe nëse e bën këtë) gruaja i lejohet atij. Zuhriu tregon se Aliu ka thënë: “Nuk i ndalohet.” Por, edhe ky transmetim është i shkëputur.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5105

Fjalë të panjohura?