Sahihu i Buhariut — Hadithi 5106
26. Nënkapitulli: “... dhe vajzat që janë nën kujdesin tuaj (e të lindura prej babai tjetër) nga gratë tuaja me të cilat keni pasur marrëdhënie bashkëshortore...”
Ibn Abasi ka thënë: "Shprehjet: duhul (hyrje), mesis (prekje) dhe limas (ledhatim) aludojnë në marrëdhëniet intime." Ata që thonë: "Vajzat e djalit të saj (gruas) llogariten sikurse vajzat e tij (burrit) në ndalesë. Kjo, për shkak të fjalës së Pejgamberit ﷺ që ia tha Umu Habibes: “Prandaj, mos m'i propozoni vajzat e as motrat tuaja.” Po ashtu, ndalohen gratë e nipave siç ndalohen gratë e djemve. A llogaritet haram martesa me vajzën e gruas, edhe nëse nuk jeton në shtëpinë e tij? Pejgamberi ﷺ vajzën e gruas së tij ia dha dikujt që të përkujdeset për të. Pejgamberi ﷺ të birin e vajzës së tij e ka quajtur bir.
5106. Nga: Umu Habibe bint Ebu Sufjani
Humejdiu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Hishami nga babai i tij, e ky nga Zejnebja se Umu Habibe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i ka thënë Pejgamberit ﷺ:
- O i Dërguari i Allahut, a ke nevojë për të bijën e Ebu Sufjanit?
- “Përse?” - më pyeti.
- Për t'u martuar me të, - i thashë.
- “Ashtu dëshiruake?”
- Unë nuk jam gruaja jote e vetme, andaj, ajo që më së shumti kam dëshirë të më bëhet shemër në ty është motra ime, - i thashë.
- “Nuk e kam të lejuar ta marr”, - tha ai.
- Kam dëgjuar se po kërkon të martohesh?
- “Me të bijën e Umu Selemes?!”
- Po, - i thashë.
- “Ajo, edhe sikur të mos ishte nën kujdesin tim (nëna e saj është gruaja ime), nuk do të më lejohej, sepse Thuvejbja na ka dhënë gji mua dhe babait të saj. Prandaj, mos m'i propozoni vajzat e as motrat tuaja”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Lejthiu thotë: “Na ka treguar Hishami: “E bija e Umu Selemes quhej Durre bint Ebu Seleme.”